Gazmend, Ti na ftove në darkën e Artit

Gazmend Freitag me Gabriela Mujaj në Galerinë Eisenwaren Kamp në Vjenë, 2.10.2023. © Gazmend Freitag

Gabriela Mujaj: Gazmend, Ti na ftove në darkën e Artit

„Pemët janë Poezi që Toka i shkruan në Qiell!“ Khalil Gibran

Qysh në fëmijëri kam dëgjuar për lisat. „I biri i filanit si lis“, „shtatin si lis“, „si lis i gjatë“, Nuk e rrëzon as stuhia, se është si lis“, „U rrëzua si lis për tokë!“. Në mendimet e mia, lisi ka qenë gjithnjë një pemë unike, ndryshe nga të tjerat. Nën lisa kam pushuar, nën hijen e tyre madhështore kam ëndërruar shumë e shumë herë për të ardhmen time. Kam shprehur dëshira, kam patur mendime për të cilat skuqeshin edhe faqet e mia (me siguri edhe lisi).

Piktori që pikturon natyrën, pasqyron në mënyrën ma sublime veprën e Zotit. Por, a nuk i shikojmë vazhdimisht lisat, pemët, lumin, liqenin, shtëpitë e vjetra në një lagje të harruar dhe gjithë këto gjëra të natyrës amë? S’e di! Ndonjëherë kalojmë me vite të tëra para pemëve, luleve, lisave, para një lagjeje të hershme, shtëpive të vjetra, dhe nuk i vëmë re! Jo se nuk i shohim, jo, por nuk ndalemi t’i sodisim, t’i kundrojmë, t’i admirojmë, të themi: – Faleminderit o Zot, për natyrën!

Sa të zënë që jemi! Nxitojmë drejt askundit dhe nuk gjejmë kohë të qëndrojmë tek djepi i jetës sonë, natyra! T’ia falësh shikimin një lumi, t’i pushosh sytë e tu mbi bar, të përhumbësh mbi një gjeth vjeshte. Mandej vjen piktori! Ky artist i „syve“ dhe na e ndal vrapin, na e ngadalëson ritmin, na grish në tryezën e tablove të tij, në një banket aristokrat, plot shije e finesë, plot origjinalitet dhe gjallëri. Dhe ne dorëzohemi para magjisë së syve. Themi me vete: – Sa e jashtëzakonshme është natyra!

“ Kjo është piktura ime e preferuar –  tha një grua, aty te ekspozita – mund të rri me orë të tëra duke e parë dhe nuk ngopem dot“- përshpëriti me një ekzaltim fëminor!

Gazmend, Ti na ftove në darkën e Artit.

Sa dehëse qe natyra, lisat, pemët, lulet, shtëpitë, që pushonin të qeta në tablot e tua. Të përkëdhelura prej shikimeve tona, morën hov dhe desh zbritën në dysheme. Të rrefej që u tundova shumë që ta rrëmbeja lumin. Ah, lumi…!

Përgëzime, i dashur Piktor i Kosovës, Shqipërisë, i Linzit, siç po të emërtojnë!

Vazhdo, na bëj krenar! Arti të do, Art je, Art u bëfsh!

gabriela.mujaj

Vjenë, 2 Tetor, 2023!


 

Kommentare